HERO I POPULLIT - MBI DISA ASPEKTE TË JETËS DHE TË VEPRËS SË DEDË GJO’ LULIT, BURRIT KRESHNIK TË MALEVE SHQIPTARE
Kryengritja e vitit 1911, një betejë shumë e rreptë dhe e përgjakshme 4-mujore në male, pati udhëheqës ushtarak malësorin 71-vjeçar Dedë Gjo’ Lulin e Traboinit të Hotit. Figura e këtij burri, malësori e atdhetari të kulluar, është përmendur në histori dhe është e njohur dhe e nderuar në popull. Më se 50 vjet jetë në shërbim të Atdheut nuk mund të përmblidhet në një ligjeratë përkujtimore e ceremoniale siç e kërkon tubimi i sotëm. Për Dedë Gjo’ Lulin janë shkruar shumë artikuj, është shkruar edhe një libër, i cili ka qenë ribotuar, gjë e rrallë kjo në atë kohë në Shqipëri. Sot do të kundrojmë vetëm disa anë të veçanta të jetës dhe të veprës së tij siç janë: mjedisi që e rriti dhe e burrëroi, qëndrimi i Dedës ndaj detyrës themelore kombëtare të kohës, Deda si ushtarak, qëndrimi politik apo mendimi politik i Dedës, lidhjet e Dedës me atdhetarët bashkëkohës. Së fundi do të përmend edhe dy çështje anësore siç janë rrethanat e vrasjes dhe gjendja e varrit. Dedë Gjo’ Luli është personifikimi i maleve shqiptare, në kuptimin organizativ vetëmbrojtës, ushtarak e dokësor të fjalës. Malet shqiptare, si vatra qëndrese kundër pushtuesve të huaj, i kanë vlerësuar shumë historianë të njohur të Europës. Profesori gjerman, Dr. Ferdinand Huepe shkruan: “Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia e valës sllave”. Francezi Ciprion Robert theksonte: “Malësitë janë nervi kryesor i Shqipërisë”, ndërsa Dora d’Istria do të pohonte se në malësitë e veriut ka gjetur strehë shpirti i pavarësisë”. |
Nuk ka dyshim se malet e malësitë shqiptare kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, por historia jonë e shkruar nuk e ka vënë në pah ende sa duhet e si duhet këtë rol. Pushtimi osman i Shqipëris vijoi plot një shekull nga luftimet e para pranë Gjirokastrës më 1380 deri në rënien e Shkodrës më 1479. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri u krijuan bashkësi fqinjësore (jo fisnore) vetëmbrojtëse të quajtura male, të cilat historianët e shquar Hamilton Gibb e Harry Bowen i kanë quajtur vatra të forta qëndrese në Shqipëri. Nga këto male, Hoti përmendet qysh më 1416, më 1459 mali i Tomadhesë, më 1469 mali i Benes e në vijim edhe të tjerë.
Në këtë mjedis, pra në malin e Hotit, vatër qëndrese, i cili jo rastësisht njihet në popull si mal i parë, lindi e u rrit e u burrërua Dedë Gjo’ Luli. Aty ai mësoi kuptimin e detyrës themelore kombëtare, siç ishin vetëmbrojtja e malit të Hotit dhe lufta për liri e vetësundimin e Shqipërisë. Këtë e mësoi Deda se në ato male kurrë nuk u shua fryma skanderbegiane e lirisë. Këtë na e dëshmon vetë Deda. Në letrën që i çon arçipeshkvit të Shkodrës më 27.2. 1904, në të cilën, ndër të tjera theksonte: “Në qoftë ndokush meshtar shqyptar gjakut e vllaznisë sonë po e përbejë për mund e gjak të Skanderbegut, që ka derdhë për Shqypni të na dalë zot tenzotnia jote”. Mundi dhe gjaku i Skënderbeut ja çka ishte për Dedën - beja më e madhe! Simboli i lirisë dhe i pavarësisë së popullit shqiptar, Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti ishte për të më i shtrenjtë dhe më i shenjtë se çdo gjë tjetër. Që fryma Skanderbegiane e lirisë dhe e vetësundimit ishte trupëzuar në mendjen e Dedës, ne e shohim në kërkesat e vijueshme të tij. Në kuvendin me konsullin turk në Cetinë, pyetjes se atë “Librin e kuq” e duan për vete, a për gjithë Shqipërinë, Deda i përgjigjet:” ma parë për vedi e mandej për Shqypninë mbarë”! Që Deda e kishte të qartë detyrën për të cilën luftonte, kjo është shprehur fort bukur në këtë këngë popullore:
Dedë Gjo’ Luli shkruen një letër: Pashës s’Shkodrës me ia çue Se Shqypnia nuk do’ tjetër,Veç do vedin me e sundue! Duke e kundruar Dedën si ushtarak, mund të pohohet pa lëkundje se ai krahasohet me gjeneralë të shkolluar evropianë e ua tejkalonte gjeneralëve turq. Si ushtarak, gjeneral me aftësi të shquara, si në fushën e organizimit e mobilizimit ashtu edhe të komandimit, të shfrytëzimit me mjeshtëri të cilësive taktike e operative të terrenit të thyer malor, Deda dallohet si askush tjetër. Duke i njohur këto cilësi në vitin 1879- 1880 Dedën e shohim në detyrën e komandantit të forcave të malësisë dhe zëvendës komandantit të përgjithshëm në Jug, ku komandant ishte Preng Bib Doda e për qytetin e Shkodrës e rrethet, Hodo Sokoli. Deda kishte aftësi të rrallë që ndjenjën fetare ta përdorte në shërbim të çështjes kombëtare. Duke qëndruar disa kohë në llogore, malësorët luftëtarë kërkuan të shkonin në kishë për të pasë meshë. “Jo, u përgjigj Deda. Do të vijë prifti në llogore e të thotë meshën. Kështu edhe detyrën nuk e braktisim, edhe meshën e shohim”. Kështu që, duke tërhequr mbi vete gjithë ato forca goditëse, viset e tjera kishin mundësi të shpërthenin kryengritje fare lehtë. Berati e Vlora qenë gati, por njëri me emrin e koduar 333 i ndalonte. Si dëshmohet konkretisht kjo zgjedhje? Fare lehtë. Në ditët e para të marsit, mirditasit sulmuan garnizonet turke në Orosh e Kashnjet. Komandanti i Divizionit 24 i dislokuar në Shkodër e çmoi gjendjen si shumë të rrezikshme. Për të përballuar sulmet në Mirditë tërheq nga Tuzi 4 batalione këmëbsorie dhe, duke u shtuar edhe disa të tjerë nga Shkodra, nën komandën e shefit të shtabit kolonel Pertef beut i nisi urgjent në Mirditë. Edhe nga Prizreni në drejtim të Mirditës u dërgua një detashment këmbësorësh i shoqëruar me artileri malore. Duke parë se granizoni i Tuzit ishte pakësuar shumë, prandaj një sulm i befasishëm do të çonte patjetër në sukses, Deda dërgoi Nik Gjelosh Lulin e të birin, Kolën për të nisur këtë sulm. Kështu që më 24 mars sulmohet e merret posta e Rapshës. Më 25 mars merren postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi theu kishën e merr armët e mbledhura aty më 1910. |
Më 27 mars sulmuan e morën disa pozita rreth Deçiçit, ndërsa Kelmendi mori dy postat e Vermoshit. Po atë ditë, në drejtimin e Koplik-Kastrat u nisën nga Shkodra 500 ushtarë, 4 topa dhe 1000 vullnetarë shkodranë, por u ndalën për tri ditë në Përrua të Thatë nga forcat e Kastratit nën pritjen e Dodë Preçit.
Më 28 mars sulmohet Tuzi, i cili të nesërmën bie në dorë të kryengritësve. Kështu u krijua një zonë e lirë nga Tuzi e gjer në Drin, duke mbetur në fuar të turqve veç Shipçaniku e Deçiçi. Më 30 mars kundërsulm turk nga Shipçaniku në drejtim të Deçiçit, por pësojnë humbje pa fituar gjë. Më 31 mars, natën, Pertef Beu, pas një pune mashtruese, mundi të tërheqë prej Mirditës gjithë ushtrinë pa dëm e hyri në Shkodër. Më 1-2 prill malësorët kanë Pashkë e nuk nxjerrin roje, kështu që forcat turke nga Përroi i Thatë shkojnë në Deçiç e që andej në Shipçanik. Më 3 prill vjen Dedë Gjo’ Luli në Qafë Kishë e vihet në krye të forcave kryengritëse. Më 6 prill drejton sulmin kundër Deçiçit ku dëbohet garnizoni turk dhe ngrihet flamuri shqiptar. Po atë ditë në Kalivare të Mirditës, kuvendi i 12 bajrakëve zgjedh Preng Marka Prengën komandant të përgjithshëm të forcave kryengritëse të Mirditës. Më 10 prill zbret në Shëngjin fuqia turke nën Komandën e Turgut Pashës e përbërë 34 Bk, 20 mitraloze të rëndë e 24 topa malorë. Tani të dy palët po përgatiteshin. Turqit për mësymje të përgjithshme, ndërsa malësorët për qëndresë aktive. Pra momentin e zgjedhur nga Deda për fillimin e kryengritjes e përligjin fakete konkrete. Ata që shkruajnë ndryshe, derdhin bojë kot. E dyta, në organizimin e mbrojtjes aktive. Turgut Pasha në Tuz vuri në rendim luftimi 11 mijë këmbësorë, 8 mitralozë të rëndë dhe 8 topa malorë me detyrë: të bllokojnë daljen e malësorëve në Mal të Zi, të pushtojnë Deçiçin dhe marshojnë drejt Rapshës. Në Koplik po 11 mijë këmbësorë, 4 mitralozë të rëndë e 8 topa malorë: me detyrë të mos lejojnë ndihmën e Dukagjinit në të djathtë, të pushtojnë Kastratin e Shkrelin dhe të dalin në Rapshë. Nga veriu Etem Pasha vuri në fillim kundër malësorëve 5 mijë këmbësorë, 8 mitraioza të rëndë e 12 topa malorë. E tërë kësaj force: 27 mijë ushtarë, 20 mitralozë të rëndë, 28 topa malorë, Deda u vuri përballë: 380 grudë, 900 hot, 100 diasporë, 500 kastrat e shkrel, 500 shaljanë në jug dhe 900 kelmend në veri, pra gjithsej 3280 vetë. Raporti vetëm në forca të gjalla, duke përjashtuar armatimin, ishte 8:1 në favor të turqve! Veç kësaj Turgut Pasha ishte shkolluar në Turqi e Gjermani, ndërsa Dedë Gjo’ Luli e krerët e tjerë vetëm në malet e veta. Turgut Pasha parashikonte operacionin e tokës së djegur dhe pat deklaruar se “do tu jap shqiptarëve një mësim që të mos e harrojnë për shtatë breza”. |
Pas shumë luftimesh lokale për prova, mësymjen në shkallë të gjerë Turguti e nisi në maj. Por nuk arriti rezultatin e parashikuar. Në fillim bënë efekt mitrolozet e rëndë kundër të cilëve malësorët nuk kishin luftuar më parë, por shpejt ua morën anën! Përparimi i ushtrisë turke që mjaft i ngadaltë. Prandaj më 25 maj Turguti i shtoi forcat e vijës së parë në 40 mijë këmëbësorë, 40 mitrolozë e 60 topa, kundër 5100 malësorëve! Por megjithë këtë urdi, forcat turke më 27 maj kishin arritur vetëm vijën Arrëz, brigje, Razem, pra kishin përparuar jo më tepër se 3-6 km., ndërsa në veri kishin mbërritur deri në Selcë!
Kjo ishte taktika e mbrojtjes aktive të Dedës. E treta, zgjedhja e momentit për kundërsulm. Ndërsa në fushën politike bëheshin përpjekje nga ana e turqve për t’i nënshtruar malësorët dhe nga ana e malësorëve për të nxjerrë sa më shumë të drejta, dhe komanda turke disi ishte pështjelluar, më 7 korrik nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit malësorët kundërsulmuan në befasi Deçiçin dhe dëbuan që andej turqit e lemerisur. Duke parë këtë ikje në rrëmujë të pazakontë, kinse për të ndaluar ikjen në panik, Turgut Pasha urdhëroi artilerinë e vet të bënte zjarr pengese përpara ushtarëve që po ua mbathnin me të katërta. Pamje bukur! Pas shpine i gjuanin malësorët me pushkë, madje edhe me pushkët e tyre që i lëshonin shpatit, ndërsa përpara i priste komandanti Turgut Pasha me topa. Me këtë verpim Turgut Pasha u shnderua përpara gjithë botës! Pas kësaj ngjarje skandaloze më 11 korrik Porta e Lartë e shkarkoi nga detyra dhe e largoi nga Shqipëria. Ky gjeneral që e quante veten “gazi”-ngadhënjyes, nuk mundi të zbatojë planin e hartuar me aq bujë, pësoi disfatë në fushën e betejës nga malësorët e udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli. Kjo pra është vepra e shkruar me gjak në malet e Shqipërisë që na ka lënë Dedë Gjo’ Luli! Këto ishin disa anë që vënë në pah Dedën si ushtarak. Detyra e studiuesve të historisë së artit ushtarak është që me anë të një analize të hollësishme të të gjithë ecurisë së veprimeve luftarake, të vënë në pah rrumbullak këto faqe të shkëlqyera të historisë së artit ushtarak dokësor shqiptar, ku Dedë Gjo’ Luli qëndron me të drejtë në rend të parë. Lidhur me ndërprerjen e luftimeve të kësaj kryengritjeje janë bërë vlerësime të ndryshme, madje të gabuara. Në Historinë e Shqipërisë, pa asnjë të drejtë thuhet: “Qëndresa e malësorëve u thye, më në fund nga krerët, të cilët, të detyruar nga gjendja e vështirë që u krijua në fillim të gushtit, pranuan të nënshkruanin marrëveshjen me turqit, në bazë të propozimit të Stambollit”! E para, duhet thënë se qëndresa e malësorëve nuk u thye. E dyta, nuk ishin malësorët, por ishin turqit ata që kërkonin të ndërprisnin luftimet me çdo kusht, sepse po të fillonin shirat e pas tyre bora, ushtria turke do të pësonte dëme të pariparueshme! Po ta zinte dimri ushtrinë turke në malësi, të gjithë faktorët ktheheshin në favor të malësorëve! Së fundi është e ditur edhe e njohur se për të qetësuar malësorët shkuan Ismail Qemali e Jak Serreqi në Mal të Zi. Ata vetë i porositën malësorët të ndërpresin kryengritjen. Për këtë, një vit më vonë, në korrik të vitit 1912 në një letër që Ismail Qemali i dërgon Abdi Toptanit, e pohon se vitin e kaluar kanë bërë gabim, pra bën autokritikë. Gjatë jetës së tij plot përpjekje për Shqipërinë, Deda ka mbajtur vetëm qëndrim të qartë e të prerë politik: ai ishte shqiptar. Po sjell disa shembuj. Shkodra më 1913 ra nën administrimin e Komisionit ndërkombëtar. Në një mbledhje të organizuar përpara prefekturës së Shkodrës, admirali anglez Cecil Burney i tha Dedës: “Hoti e Gruda kanë mbaruar”. Deda ia priti flakë për flakë: -Ti, zotni ke hyqem me shit kopshtin tand, se atë temin as nuk e shes as nuk e fal”. Admirali e ndërroi fjalën e nisi “me porosit” hot e grudë që të rrinin urtë se ndryshe do t’i çonin me forcë në vendbanimet e tyre, që konferenca e ambasadorëve ia kishte lëshuar malit të Zi. Deda që nga vendi ku ishte iu përgjigj: -”A ka tagër e forcë Europa me më ndalë që të derdhë gjakun tem”? |
Me rastin e largimit të komisionit ndërkombëtar nga Shkodra Ismail Qemali e njoftoi Dedën dhe i kërkonte bashkim, rregull e urtësi. Deda i dërgon këtë telegram: “Malësia e Madhe, tue u rregullue edhe mbas sodit me atë urti e kanun të vendit, ka me kenë një vegël e fuqishme e besnike per me shestue e me sjellë për së mbarit qendrën sunduese të mbarë Kombit”!
Më duket se kjo përgjigje e jep qartë mendimin e Dedës. Si pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, në Kuvendin e Lidhjes së Pejës më 1899, në Kuvende të ndryshme ndërkrahinore e mbledhje malësi-qytet në Shkodër, Deda ka qenë njohur me shumë atdhetarë. Sidoqoftë, në pikëpamje të rrjedhës së jetës ai ngjan në shumë pika me Themistokli Gërmenjin: të dy atdhetarë të papërkulur, të dy njerëz që nuk i tundi kurrë paraja e huaj, të dy luftëtarë të lirisë kombëtare, të dy dëshmorë të atdheut, të dy patën të njëjtin fund tragjik. Për të plotësuar këtë ligjëratë të shkurtër po them dy fjalë edhe për rrethanat e varrimit. Lidhur me vendvarrimin, meqenëse në shtypin e vitit 1923, kur janë sjellë eshtrat e Dedës prej Oroshi në Shkodër, nuk ka të dhëna konkrete për të, as ndonjë dokument arkival nuk kam gjetur, e pata lënë çështjen të hapur. Tani do të bëhen kërkimet e duhura, do të bëhet ekspertiza përkatëse dhe do të dalë në shesh e vërteta! Dedë Gjo’ Lulit i përket një vend nderi në Panteonin e kombit shqiptar. Por ai duhet të njihet. Për t’u njohur duhet të ketë në qarkullim libra për jetën dhe veprën e këtij burri të papërkulur të maleve shqiptare, të kësaj shpate të gjallë të Shqipërisë. |
Nga - Pal Doçi
(Fordham U. Symposium, 85-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe,13 prill 1996)
(Fordham U. Symposium, 85-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe,13 prill 1996)
DEDË GJO’ LULI NJË NGA HERONJTË E SHQUAR TË KOMBIT SHQIPTAR
Koha me rrjedhën e saj të pandërprerë, në mjaft raste, mbulon me pluhurin e harresës edhe ngjarje, që në kohën e tyre kanë pasur jehonë e, si rrjedhim, edhe emrat e protagonistëve të atyre ngjarjeve. Mjerisht një dukuri e tillë ka bërë që shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së pashkruar të popullit shqiptar i ka mbuluar ky pluhur harrese, sepse rrethanat historike, në të cilat u është dashur të jetonin, a më saktë të mbijetonin, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, kanë bërë që ne sot të kemi njohuri të kufizuara jo vetëm për periudhat e lashta, por edhe për kohë relativisht më të reja të historisë së popullit tonë, një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit. Kështu p.sh. ne sot nuk dimë shumë gjëra për qëndresën e paepur të stërgjyshërve tanë për të përballuar përpjekjet asimiluese të pushtuesve të ndryshëm, romakë, sllavë, turq, etj. Por fakti që etnosi shqiptar ka mundur të mbijetojë e të ruajë identitetin e tij, dëshmon qartë se gjyshërit e stërgjyshërit tanë i kanë ruajtur si sytë e ballit gjuhën dhe traditat e trashëguara brez pas brezi dhe bashkë me këto edhe vendosmërinë për të jetuar të lirë e të pavarur në trojet e veta. Dhe pikërisht për këtë arsye ata, edhe në kushte shumë të vështira, kanë luftuar me guxim kundër armiqsh shumë më të mëdhenj në numër e shumë më mirë të armatosur, duke flijuar edhe jetën për liri e pavarësi. Mjafton të kujtojmë faktin se edhe pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kur Shqipëria ra nën sundimin e turqve osmanlli, shqiptarët mbetën kurdoherë nënshtetas të panënshtruar dhe herë pas here ngrinin krye kundër pushtuesit. Shumë nga këto kryengritje i ka mbuluar pluhuri i harresës, sepse mjerisht rrethanat historike nuk i kanë lejuar të parët tanë t’i përjetësonin ato qoftë edhe me disa shënime të shkurtra. Megjithatë, disa nga këto kryengritje nuk kanë mbetur të paregjistruara. Mjafton të kujtojmë këtu luftërat e pabarabarta të malësorëve kelmendas kundër turqve në shekullin XVII. Një nga këto ngjarje e përmend edhe Bogdani në veprën e tij të mirënjohur Çeta e Profetëvet (1685), Pj. I, Ligjërata IV, paragrafi 15, ku thotë: |
Kush mundetë me i ram mboh se ma i vobek kje Vuça Pasha, i silli, për të mbëledhë një ushtëri 12 mie vetësh, nuk’i mbastuen shumë miljonj ar, se Kelmendasitë tanë, të sijtë, me nji za Eja kush ashtë trim, mbëledhunë afërë 500 vetë, vranë Vuça Pashënë, vjetit së Krishtit 1639. E ndë nevojë mpsuen me granë lëkurëne qarrit, posi të begatëtë majën’e miellit; ende atyne ajo gjellë ma shije u ka se Pashallarëvet e Sangjakëvet mishi i kingjavet e /i/ vjetavet njomë.
E përmenda këtë ngjarje historike të shekullit XVII, jo vetëm për të vënë në dukje shpirtin kryengritës dhe liridashës të malësorëve tanë të Veriut, por edhe për të theksuar se të tilla ngjarje historike, të përcjella gojë më gojë nga brezi në brez, kanë shërbyer si një shkollë për të formuar e forcuar atë që mund të quhet ndërgjegje kombëtare ndër shqiptarët. E kjo ndërgjegje ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e ndjeshme gjatë sundimit shumëshekullor turk, derisa mori përmasa mbarëshqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.
Vështruar me këtë sy, kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar me aq urti, guxim e trimëri nga Dedë Gjo’ Luli, nuk del si diçka e rastësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve tanë dhe të gjithë popullit shqiptar për të jetuar të lirë në trojet e veta të trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre. Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët e tij trima ishin edukuar me këtë ndjenjë dashurie për liri pikërisht në shkollën e traditës popullore, nga e cila ata kishin mësuar, ndër të tjera, që të ruanin gjuhën dhe zakonet e të parëve, të ishin të gatshëm për të flijuar edhe jetën për lirinë e Atdheut, dhe për këtë qëllim të mos tuteshin nga asnjë kërcënim, por të luftonin me guxim kundër armiqve me armët, që do t’u rrëmbenin po atyre.
E në këtë rast nuk është pa bazë shprehja se historia përsëritet. Ashtu si në kryengritjet e mëparshme, Dedë Gjo’ Luli dhe trimat e tij të Malësisë së Madhe, megjithëse të paktë në numër, të paarmatosur, të paveshur e të pangrënë, duke luftuar me guxim dhe me armët që u rrëmbyen armiqve, e detyruan famëkeqin gjeneral turk, Shefqet Turgut Pasha, të kthehej mbrapsht me turp andej nga kishte ardhur, duke lënë pas në fushën e betejës një numër të madh ushtarësh të vrarë, të plago-sur dhe robër.
Pra, komandanti i pashkollë, Dedë Gjo’ Luli, me malësorët e tij trima, gjithashtu të pashkollë, të paarmatosur dhe të uritur, thyen një gjeneral të shkolluar nëpër akademitë ushtarake më të mira të kohës, bashkë me ushtrinë e tij të armatosur deri në dhëmbë.
E përmenda këtë ngjarje historike të shekullit XVII, jo vetëm për të vënë në dukje shpirtin kryengritës dhe liridashës të malësorëve tanë të Veriut, por edhe për të theksuar se të tilla ngjarje historike, të përcjella gojë më gojë nga brezi në brez, kanë shërbyer si një shkollë për të formuar e forcuar atë që mund të quhet ndërgjegje kombëtare ndër shqiptarët. E kjo ndërgjegje ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e ndjeshme gjatë sundimit shumëshekullor turk, derisa mori përmasa mbarëshqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.
Vështruar me këtë sy, kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar me aq urti, guxim e trimëri nga Dedë Gjo’ Luli, nuk del si diçka e rastësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve tanë dhe të gjithë popullit shqiptar për të jetuar të lirë në trojet e veta të trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre. Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët e tij trima ishin edukuar me këtë ndjenjë dashurie për liri pikërisht në shkollën e traditës popullore, nga e cila ata kishin mësuar, ndër të tjera, që të ruanin gjuhën dhe zakonet e të parëve, të ishin të gatshëm për të flijuar edhe jetën për lirinë e Atdheut, dhe për këtë qëllim të mos tuteshin nga asnjë kërcënim, por të luftonin me guxim kundër armiqve me armët, që do t’u rrëmbenin po atyre.
E në këtë rast nuk është pa bazë shprehja se historia përsëritet. Ashtu si në kryengritjet e mëparshme, Dedë Gjo’ Luli dhe trimat e tij të Malësisë së Madhe, megjithëse të paktë në numër, të paarmatosur, të paveshur e të pangrënë, duke luftuar me guxim dhe me armët që u rrëmbyen armiqve, e detyruan famëkeqin gjeneral turk, Shefqet Turgut Pasha, të kthehej mbrapsht me turp andej nga kishte ardhur, duke lënë pas në fushën e betejës një numër të madh ushtarësh të vrarë, të plago-sur dhe robër.
Pra, komandanti i pashkollë, Dedë Gjo’ Luli, me malësorët e tij trima, gjithashtu të pashkollë, të paarmatosur dhe të uritur, thyen një gjeneral të shkolluar nëpër akademitë ushtarake më të mira të kohës, bashkë me ushtrinë e tij të armatosur deri në dhëmbë.
Por Dedë Gjo’ Luli nuk ishte vetëm një komandant i “lindur”, por edhe një veprimtar i vendosur për çështjen kombëtare shqiptare.
Për këtë dëshmon, ndër të tjera, edhe pjesëmarrja e tij në Lidhjen e Prizrenit më 1878 dhe në Kuvendin e Greçës në qershor të vitit 1911, si edhe interesimi i tij i vazhdueshëm për fatet e Shqipërisë në periudhën kritike të viteve 1911-1912.
Prandaj Ismail Qemali gjatë vizitës së Heroit tonë në Vlorë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e quajti atë me të drejtë pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Por lufta e pabarabartë e popullit shqiptar për liri e pavarësi ka pasur natyrisht edhe viktimat e saj të shumtë.
E një ndër këta ka qenë edhe Heroi i Malësisë së Madhe dhe i gjithë kombit shqiptar, Dedë Gjo’ Luli, i cili u vra pabesisht më 1915 dhe bashkë me të u shua edhe e gjithë familja e tij.
Por Dedë Gjo’ Luli mbetet gjithnjë i gjallë si simbol i Burrit shqiptar, që për interesat e Atdheut bëri fli edhe jetën edhe familjen.
Nga - Prof. Shaban DEMIRAJ
Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë
(Fordham U. Symposium, 85-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe,13-4-96)
Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë
(Fordham U. Symposium, 85-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe,13-4-96)